Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) sot i janë shtuar edhe 190 rekrutë të rinj të cilët edhe u betuan sot në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.
Ata u betuan solemnisht në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë si dhe familjarëve të tyre.
Pas intonimit të himnit shtetëror, Presidentja Osmani-Sadriu tha se me rekrutimin e këtyre rekrutëve FSK përmbyllë një vit jashtëzakonisht të suksesshëm të angazhimit dhe të rritjes së Forcës gjithnjë konfrom standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive moderne.
“Secila ditë e certifikimit të ri është e veçantë për ushtrinë dhe për shtetin tonë sepse krahas rritjes së kapacitetit, FSK po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të procesit të tranzicionit”, tha presidentja Osmani-Sadriu.
Ndërsa, Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes e vlerësojnë mbrojtjen dhe sigurinë si shtyllë jetike të shtetit tonë. Ai theksoi se do të vazhdojë të mbështesë FSK-në dhe që përkrah aleatëve tonë strategjikë, Shteteve të e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të NATO-s ta modernizojmë forcën dhe ta bëjnë operacionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere.
Në fund të kësaj ceremonie, Komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjenerabrigade Irfete Spahiu i uroi rekrutët për suksesin e dëshmuar gjatë trajnimit si dhe shprehu besimin për shërbim dhe karrierë të suksesshme në uniformën e FSK-së.
Certifikimi i 190 ushtarëve të rinj është proces në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.