Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka konfirmuar gjetjen e trupit të pajetë të 33-vjeçarit që ishte zhdukur ditë më parë në liqenin e Ujmanit.
Në një njoftim zyrtar, FSK bëri të ditur se pas kërkimeve intensive, është lokalizuar trupi i viktimës, i cili më pas i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme ligjore.
Njoftimi:
FSK-ja gjen trupin e pajetë të personit të zhdukur
Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur. Me pranimin e urdhërit, ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur.
Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit.
Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme.