Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e kadetëve të FSK-së, për studime në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake-WEST POINT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministria e Mbrojtjes me anë të një shkrimi njofton se studimet mbahen në gjuhën angleze dhe zgjasin katër vjet. Është e dëshirueshme që kandidati të ketë të përfunduar testin TOEFL dhe testin SAT.
“Kandidatët do të nominohen nga Ministria e Mbrojtjes si kandidatë konkurrent për studime. Kadetët pas përfundimit të shkollimit do të emërohen oficer në FSK, në kohëzgjatje minimale të obligueshme, prej gjashtë (6) viteve. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës pa dallim kombi, race, dhe gjinie, të moshës 18-22 vjeç.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Konkursi dhe formularët për aplikim janë në dispozicion në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes; https://mod.rks-gov.net/.
Konkursi është i hapur prej datës 7 deri më 20 tetor 2020.