Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Perceptimet publike për besimin, korrupsionin dhe integritetin e institucioneve publike në Kosovë” për vitin 2022.
Forca e Sigurisë së Kosovës është renditur si institucioni më i besueshëm jo vetëm në sektorin e sigurisë, por edhe në krahasim me institucionet në kuadër të sektorëve të tjerë.
Kështu, 83 për qind e të anketuarve kanë besim apo besim të plotë në Forcën e Sigurisë së Kosovës në krahasim me 9 për qind që kanë pak besim ose aspak besim në këtë institucion të uniformuar.
Forca e Sigurisë së Kosovës e ka ruajtur këtë nivel të lartë besimi për disa vite edhe pse ndërveprimi i saj me qytetarët është më i rrallë në krahasim me institucionet e tjera.
Institucioni tjetër që gëzon nivel të lartë besimi është Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73% të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë.
Policia e Kosovës është renditur në vendin e tretë në mesin e institucioneve të perceptuara më pozitivisht nga të anketuarit, me 72 për qind që shprehin besim apo besim të plotë në Policinë e Kosovës, krahasuar me 11 për qind të të anketuarve që nuk kanë besim në Policinë e Kosovës në vitin 2022.
Presidentja e Kosovës në raport del se është institucioni i nivelit qendror me besueshmërinë më lartë pres 59 për qind të të anketuarve që kanë besim ose besim të plotë.
Krahasuar me 26 për qind që kanë pak besim ose aspak besim në këtë institucion.
Qeveria e Kosovës në këtë raport ka marrë besimin e 34 për qind të të anketuarve teksa 46 për qind të të anketuarve kanë deklaruar se kanë pak besim ose nuk kanë besim fare.