Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë kanë zhvilluar një trajnim të përbashkët në fushën e kërkim-shpëtimit urban, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Trajnimi “Kërkim-Shpëtim Urban Bazik dhe i Avancuar” është mbajtur në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare të FSK-së, me pjesëmarrjen e ushtarakëve nga Kosova dhe Shqipëria.
Gjatë trajnimit janë trajtuar tema që lidhen me reagimin në raste katastrofash natyrore dhe emergjencash të shkaktuara nga faktori njerëzor.
Pjesëmarrësit kanë zhvilluar aftësi praktike në operacionet e kërkim-shpëtimit, përdorimin e pajisjeve të specializuara, ofrimin e ndihmës së parë dhe koordinimin e veprimeve në situata emergjente.
Sipas njoftimit, ky aktivitet synon rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
/A.K/
