UBT News

FSK angazhohet për shuarjen e zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sverkë të Pejës

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se është angazhuar në ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit me përmasa të mëdha që ka përfshirë deponinë e mbeturinave në fshatin Sverkë të Komunës së Pejës.

Sipas njoftimit, pas kërkesës së pranuar nga Qendra e Situatave e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative e FSK-së ka bërë menjëherë vlerësimin e rrezikut dhe të kapaciteteve reaguese.

Me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë mobilizuar njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare, të cilat kanë nisur operacionin në terren me qëllim izolimin e vatrës së zjarrit, parandalimin e ndotjes toksike të mjedisit dhe shmangien e pasojave për shëndetin e qytetarëve.

FSK ka bërë të ditur se njësitë e saj po veprojnë në koordinim me autoritetet qendrore dhe lokale, shërbimet emergjente dhe banorët e zonës, me synimin që situata të vihet sa më shpejt nën kontroll.

Në fund, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për t’u shërbyer qytetarëve në përputhje me detyrat dhe misionin kushtetues./A.K/

Exit mobile version