UBT News

Fruthi në Kosovë, 137 raste të konfirmuara – 25 të reja vetëm gjatë javës së fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 137 raste me fruth.

Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja. Numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 47 raste dhe në Fushë-Kosovë me 34 raste. Pas tyre renditen Ferizaj me 12 raste, Obiliqi me 8, ndërsa Kaçaniku dhe Lipjani me nga 7 raste.

Raste janë raportuar edhe në Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Gjilan, Shtime, Shtërpcë, Deçan, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.

Në komunat me numrin më të lartë të rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet. Vetëm gjatë javës së fundit janë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit në qendrat e mjekësisë familjare.

Instituti rekomandon gjithashtu që personat me simptoma të dyshimta, si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore./A.K/

Exit mobile version