Me rastin e 23 vjetorit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, Fronti Europian ka organizuar akademi mbi legjitimitetin e saj.
Bujar Osmani përfaqësues nga Fronti Evropian tha se Marrëveshja e Ohrit qëndron si një gurëthemel i paqes, stabilitetit dhe demokracisë në Maqedoninë e Veriut duke mëshiruar aspiratat e gjithë qytetarëve të saj për një shtet dhe shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Sipas tij 23 vjet më parë më 13 gusht 2001 u nënshkrua Marrëveshja paqësore e Ohrit duke i dhënë fund një periudhe lufte dhe duke vendos Maqedoninë e Veriut në një rrugë drejtë pajtimit, barazisë, drejtësisë, qeverisjes konsensuale dhe integrimit euroatlantik.
Derisa sipas Osmanit me qeverinë e re janë cenuar parimet themelore të marrëveshjes.
“Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar dhe e arritur me mbështetjen dhe me garancitë e komunitetit ndërkombëtarë vendosi themelet për një bashkëjetesë paqësore të komuniteteve të ndryshme etnike brenda vendit tonë me fokus të veçantë në përfshirjen dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar si dhe komuniteteve jo shumicë. Marrëveshja paqësore e Ohrit u hartua për të zgjidhur tensionet etnike dhe luftën e armatosur përmes një balancimi të kujdesshëm ndërmjet dy parimeve themelore hyrëse: nën një ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial si dhe karakterin unitar të shtetit dhe nën dy ruajtjen dhe reflektimin e karakterit multietnik të shtetit”, tha Osmani.
Por nga zhvillimet e fundit politike Osmani tha se është cenuar rënë qëllimi e synimi i kësaj marrëveshje.
“Zhvillimet e fundit politike në qeverinë e re të koalicionit të formuar si rezultat i zgjedhjeve të mbajtura në maj 2024 kanë cenuar rëndë themelet e synimit dhe qëllimit si dhe parimet themelore të marrëveshjes së Ohrit. Veprimet irracionale në rrafshin e kufizimit të standardeve të pjesëmarrjes politike të arritura me përpjekje gjatë dekadash për të garantuar standardet e gjithë përfshirjes janë në kundërshtim po me këtë synim dhe qëllim të marrëveshjes së Ohrit dhe qëllimin e palëve nënshkruese”, tha Osmani.
Osmani poashtu potencoi se shkelja dhe injorimi flagrant i vullnetit politikë dhe elektoral i komunitetit të dytë më të madh në vend, komunitetit shqiptar si dhe komunitetit jo shumicë është në kundërshtim me amandamentin 6 të kushtetutës të Maqedonisë së Veriut.
“Parimi i legjitimitetit etnik është respektuar në përgjithësi nga gjitha qeveritë. Në mungesë të këtij parimi maqedonasit etnik mund të vendosnin arbitrarisht dhe preferencialisht se cila parti shqiptare etnike duhet ta përfaqësoj popullin shqiptar. Kjo situatë është problematike. Cili është qëllimi i ekzistimit të partive politike etnike dhe cila do të ishte arsyeja që një komunitet etnik të dal e të votoj në zgjedhje nëse përfaqësuesit e tyre në fund zgjidhen në mënyrë preferenciale dhe nga partia fituese etnike maqedonase.Shkelja dhe injorimi flagrant i vullnetit politikë dhe elektoral të komunitetit të dytë më të madh në vend, komunitetit shqiptar si dhe komunitetit jo shumicë është në kundërshtim me amendamentin 6 të kushtetutës të Maqedonisë së Veriut dhe me parimin e përfaqësimit të drejtë”, shtoi Osmani.
Edhe profesoresha Arta Mehmeti Ademi tha se Marrëveshja paqësore e Ohrit i dha fund luftës së vitit 2001, rivendosi paqen dhe kishte për qëllim rregullimin juridik të pozitës së shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera jo shumicë.
Ajo tha se gjatë kësaj periudhe ka pas tentativa që parimet bazë të marrëveshjes të cungohen.
“Përgjatë kësaj periudhe nga partitë maqedonase në pushtet në vazhdimësi ka pas tentativa që parimet bazë të proklamuara dhe garantuara në Marrëveshjen paqësore të Ohrit të cungohen, të interpretohen subjektivisht dhe si të tilla mos të aplikohen në tërësi tentativa të cilat mund të themi se kanë ndikuar në ngadalësimin e jetësimit të së njëjtës në praktikë”, shtoi ajo./UBTNews/