Nga Vitjon Nina
Bashkë sërish, këtë herë për të nënshkruar edhe më shumë memorandume dhe marrëveshje mbi bashkëpunimin rajonal.
E enjtja e 29 korrikut sheh në tryezë tre liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në tavolinë. Tre të tjerë, nuk do të jenë të pranishëm në tryezë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Alexandar Vuçiç, do të mblidhen në Shkup për Forumin Ekonomik Rajonal të Bashkëpunimit, i njohur edhe me terminologjinë e Schengen-it Rajonal apo Mini Schengen.
331 pjesëmarrës do të marrin pjesë në 156 takime. Por kulmimi, do të jetë firmosja e marrëveshjeve të tre kokave të qeverive nga tre shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Projekti i Schengen-it Rajonal, është një ide aspak utopike tashmë, e kahershme në gjenezë, e cila po gjen konkretizim të vazhdueshëm hap pas hapi.
Dhomat e Tregtisë të tre vendeve, do të jenë në kapacitetin e plotë të punës për një qëllim madhor. Atë të garantimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian brenda një kornize ballkanike.
Mirëpo palët, janë të ndara në këtë projekt. Gjashtë brinjët përbërëse të Ballkanit Perëndimor, deri tani arrijnë të formojnë vetëm një trekëndësh.
Por, ky trekëndësh duket i vendosur që të bashkohet dhe të formësojë një hekzagon të ardhshëm dhe stabël – pa kufij – ballkanik.
Ulja e gjakrave
“Krijimi i një zone të Schengen-it Rajonal është e ngjashme me zonën reale Schengen. Ajo qetëson edhe ide të tilla si shkëmbimi i territoreve apo ndërrimi i kufijve”.
Kështu mendon gazetari italian i RAI-t me përvojë shumëvjeçare në gjeopolitikën ballkanike, Stefano Marcelli, i pyetur nga Albanian Post mbi çështjen.
Kjo sipas tij, mund të zhdukë edhe teoritë që qarkullojnë mbi frikën e një shkëmbimi të mundshëm. Vetë fakti i lehtësimit të qarkullimit për secilin shtet, e fakton këtë gjë.
Madje, Marcelli arrin deri aty sa të pretendojë se Schengeni Rajonal mund të zbusë edhe percepsionet dhe armiqësitë për çështjen e ndarjes. Ideja është e një qetësimi tërësor të gjakrave të nxehtë pas luftërave mbi humbjen e territorit.
Thuajse në të njëjtën linjë me Marcellin, ndan edhe Germano Dottori, profesor pranë universitetit LUISS Guido Carli në Romë dhe studiues i gjeopolitikave rajonale.
Sipas Dottori-t, krijimi i Schengenit Rajonal, do të mundësonte arkivimin e luftërave dhjetëvjeçare jugosllave. Në njëfarë mënyre, do të zhbënte një tension të pranishëm në rajon prej tre dekadash.
Kur pyetet nga Albanian Post mbi dinamikat që mund të krijohen, ai sjell në sipërfaqe edhe Kinën.
“Ajo çfarë do të arrihej më tej, do të ishte edhe një ulje e penetrimit kinez në Ballkanin Perëndimor”, shton Dottori. Kjo, duke atashuar më shumë Serbinë me Perëndimin.
Nga ana tjetër, tre vende të rajonit, të cilat nuk pranojnë konceptin, kanë frikën e një rimishërimi të ish-Jugosllavisë plus Shqipërinë në Ballkan. Të treja – Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Mali i Zi – vende me konflikte të fuqishme ndaj Serbisë.
Nuk ka vend për frikë
Të tre liderët ballkanikë e kanë theksuar më shumë se një herë thirrjen për tre vendet e tjera, që t’i bashkohen nismës. Por, ende nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët.
Apeli më i madh, nga ardhur nga kryeministri Rama. Ai ka theksuar tekstualisht faktin se “Projekti nuk është një Jugosllavi i re plus Shqipërinë”.
Përkundrazi, sipas Ramës, koncepti është edhe më i hapur se vetë ai i Schengenit. Kjo, pasi nuk do të ketë as detyrim bashkëpunimi ndërmjet të gjitha shteteve, as veto. Do të ketë nga ana tjetër, të drejta individuale të çdo shteti, për të vendosur se çfarë marrëveshjes nënshkruan me një shtet tjetër.
Me pak fjalë, nëse dëshira e Kosovës është ajo që të zhvillojë marrëveshje vetëm me një, dy, tre apo katër nga pesë shtetet e tjera, është e lirë ta bëjë. E vlefshme kjo për çdo shtet.
Në rikujtuesë është sjellë edhe vetoja e Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut. Veto, e cila e ndëshkoi edhe Shqipërinë në hapjen e negociatave.
Pikërisht veto të tilla do të evitohen në Schengenin Rajonal.
Një ide që është e mbështetur gjerësisht edhe nga Bashkimi Evropian.
Mbi frikën e një anashkalimi të BE-së nëse projekti arrihet, qasja jo vetëm e liderëve pjesëmarrës në marrëveshje, por edhe e studiuesve të jashtëm, është konceptualisht e qartë. Projekti veçse e forcon qasjen evropiane dhe nuk e zbeh.
Se çfarë marrëveshjesh do të nënshkruhen sot, kjo ende nuk është bërë e ditur. Herën e fundit që tresha e “mini-Schengenit” u takua, e cilësoi këtë të 29 korrikut, si një takim shumë të rëndësishëm.
Tashmë, mbetet për t’u parë efektiviteti i bisedimeve virtuale dhe konkretizimi i projekteve reale. /Albanianpost.com