Moldavia dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit nënshkruan të hënën një marrëveshje prej 30 milionë eurosh për përmirësimin e efikasitetit energjetik të shtetit post-sovjetik. Këtë e bëri të ditur Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, pas takimit me homologun e saj francez, Emmanuel Macron, në Paris.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi, Sandu deklaroi se kjo marrëveshje do të kontribuojë në “reduktimin e humbjeve të energjisë, uljen e kostove dhe forcimin e pavarësisë sonë energjetike”.
Qeveria pro-evropiane e Moldavisë ka akuzuar Rusinë se po krijon artificialisht një krizë energjetike me qëllim destabilizimin e vendit para zgjedhjeve parlamentare. Kjo akuzë vjen pas vendimit të prodhuesit rus të gazit, Gazprom, për të pezulluar eksportet e gazit në rajonin separatist të Transdniestrës. Nga ana e saj, Rusia ka fajësuar Moldavinë për krizën aktuale.
Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se Moldavia po përballet me përpjekje të qarta nga Rusia për destabilizimin e saj, duke pasur parasysh se vendi ndan kufi me Ukrainën dhe synon të bashkohet me Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Moldavia, hapësira ajrore e së cilës shkelet rregullisht nga dronët dhe raketat ruse, duhet gjithashtu të përballet me përshkallëzimin e përpjekjeve destabilizuese nga Rusia, që synojnë veçanërisht institucionet demokratike të vendit tuaj,” deklaroi Macron.
Ndërkohë, Sandu i bëri thirrje aleatëve evropianë të vazhdojnë mbështetjen e tyre të fuqishme për Ukrainën, duke paralajmëruar se Rusia synon të marrë kontrollin mbi Moldavinë dhe ta përdorë si një platformë për agresion të mëtejshëm ndaj Ukrainës.
“Strategjia e Moskës është e qartë – të shfrytëzojë dobësitë e Moldavisë, të sabotojë demokracinë tonë dhe ta kthejë territorin tonë në një platformë për agresion të mëtejshëm,” theksoi ajo.