UBT News

“French Business Day”, promovon Kosovën si destinacion investimesh

Këshilli i Investitorëve Europian ka organizuar eventin, “French Business Day”, që synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomacisë franceze dhe komunitetit të biznesit, ndërsa u theksua rëndësia e krijimit të partneriteteve afatgjata, rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën e Biznesit Francez ka thënë se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, e hapur për investime serioze si dhe ka theksuar se po zgjerohet mundësia tregtare me Evropën, Rajonin dhe më gjerë.

Kurti në fjalën e tij, tha se Kosova tani ka stabilitet institucional.

“Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Kosova është e hapur për investime serioze. Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar me orientim të qartë evropian dhe tashmë kemi edhe stabilitet institucional, i cili dëshirohet aq shumë nga bizneset, meqenëse ofron siguri publike, para shikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, ka thënë ai.

Tutje Kurti u shpreh se bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi besimin.

“Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri”, tha ai.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se interesi i kompanive franceze dëshmon atraktivitetin e vendit.

Ai shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Kosovës janë të forta.

“Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën  e cila është padyshim e dukshme mes nesh dhe në lidhje kulturore”, tha ai.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se platforma ishte përgatitur përmes një procesi të gjatë konsultimesh.

“Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.

Në kuadër të eventit “French Business Day”, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se Kosova ofron mundësi të favorshme për investitorët francezë dhe po forcon pozicionin e saj si destinacion konkurrues për bizneset ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ajo nënvizoi se ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, me rritje mesatare të PBB-së më të lartë në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, inflacion të ulët dhe borxh publik më të ulët në rajon.

“Duke zgjedhur Kosovën, kompanitë franceze forcojnë zinxhirët e furnizimit të Evropës, zvogëlojnë varësinë nga tregjet e largëta dhe fitojnë një partner të besueshëm në zemër të Ballkanit. Ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Gjatë tre viteve të fundit, PBB-ja jonë është rritur me mesataren më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar, ndërsa inflacioni mbetet i ulët dhe borxhi publik është më i ulëti në rajon”, tha ajo. E. A. /Ekonomia online/

 

Exit mobile version