UBT News

Franca përsërit thirrjen për paqe në bisedë me Putinin

Presidenti francez, Emmanuel Macron bisedoi me presidentin rus, Vladimir Putin të hënën, duke i bërë thirrje sërish Moskës t’i japë fund sulmeve ndaj Ukrainës dhe duke theksuar nevojën për armëpushim të menjëhershëm, sipas një deklarate nga presidenca franceze.

Macron i ka kërkuar liderit rus që të ndalë të gjitha sulmet kundër civilëve dhe ndërtesave, të ruajë infrastrukturën civile dhe të garantojë sigurinë në rrugët kryesore.

Putin konfirmoi gatishmërinë e tij ndaj këtyre kërkesave, thuhet në deklaratën e presidencës franceze.

Sidoqoftë në një deklaratë të Kremlinit thuhet se Putin i tha Macronit se“zgjidhja është e mundshme vetëm nëse merren parasysh interesat legjitime të Rusisë për sigurinë – duke përfshirë njohje dhe sovranitetin rus në Krime si dhe një zgjidhje për objektivat rreth çmilitarizimit dhe denazifikimit të shtetit ukrainas dhe garancisë se do të ketë status neutral”.

Në deklaratën e presidencës franceze thuhet se Macron i ka kërkuar Putinit të mbesin në kontakt në ditët në vijim për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, gjë që sipas presidencës franceze u pajtuan./UBTNews/

Exit mobile version