Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar një plan investimesh prej 109 miliardë eurosh në inteligjencën artificiale, i cili do të shpallet gjatë një samiti në Paris. Investimet përfshijnë 20 miliardë euro nga kompania kanadeze Brookfield dhe një financim deri në 50 miliardë euro nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që do të shkojë kryesisht për ndërtimin e qendrave të dhënash.
Macron pranoi se Evropa ka mbetur pas SHBA-së dhe Kinës në zhvillimin e AI dhe theksoi nevojën për një agjendë të qartë për të kapërcyer këtë hendek. Ai shprehu shqetësimin se Evropa mund të bëhet vetëm një konsumator i teknologjisë, duke humbur ndikimin në drejtimin e saj.
Samiti, i cili mbahet të hënën dhe të martën në Paris, do të mbledhë liderë shtetesh, organizata ndërkombëtare dhe kompani teknologjike për të diskutuar zhvillimin etik të AI. Ky zhvillim vjen në një kohë kur SHBA-ja ka shpallur investime të mëdha në këtë sektor për të mbajtur epërsinë ndaj Kinës dhe rivalëve të tjerë./UBTNews/