Zëdhënësja e qeverisë franceze, Sophie Primas tha se Evropa nuk duhet të jetë më e varur nga SHBA-ja për sigurinë e saj.
Duke folur në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Francë, Primas foli për zhvillimet e fundit në lidhje me Ukrainën dhe sigurinë evropiane.
Ajo vuri në dukje se kapaciteti i Evropës për të siguruar mbrojtjen e saj është vënë në një situatë të vështirë nga administrata e re e SHBA-së. “Evropa po kupton se nuk mund t’ia dorëzojë sigurinë e saj fuqive të tjera”, tha Primas.
Pasi theksoi se një paqe e mundshme midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të shoqërohet me garanci solide, Primas tha: “E vërteta është se bëhet fjalë për sigurinë e Evropës dhe kapacitetin tonë për t’u vetëmbrojtur. Edhe pse amerikanët (SHBA) janë aleatët tanë, ne nuk duhet të varemi më prej tyre për sigurinë tonë. Zgjimi i Evropës kalon nëpërmjet rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes”.
“Franca qëndron në solidaritet me Ukrainën e cila po lufton për lirinë e saj dhe sigurinë e Evropës. Në këtë periudhë të paqëndrueshme dhe shumë të rrezikshme, është thelbësore të marrim përsipër fuqinë që është e jona dhe të rindërtojmë modelin tonë të sovranitetit dhe pavarësisë“, theksoi Primas.
Ajo shtoi se duan një paqe të fortë në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë. “Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa ukrainasit dhe evropianët”, tha Primas.
Zëdhënësja e qeverisë franceze mbrojti idenë se sovraniteti i Ukrainës dhe siguria e Evropës janë të ndërlidhura dhe tha se vetëm ukrainasit mund të vendosin për kohën dhe kushtet në çështjen e negociatave të paqes në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë.