Ndërsa tensionet sa vijnë e shtohen për shkak të rritjes së numrit të vendeve që kërcënojnë me bojkotimin e Festivalit Evropian të Këngës nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë, Franca dhe Australia kanë konfirmuar se do të jenë pjesë e garës që do të mbahet në Vjenë në maj 2026.
Shërbimi Special i Transmetimeve i Australisë (SBS) bëri të ditur se do ta transmetojë Eurovisionin e vitit 2026 “pavarësisht nëse EBU [Bashkimi Evropian i Transmetimeve] pranon apo jo pjesëmarrjen e Izraelit”.
Në deklaratë, SBS theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj traditës së vet për të festuar “diversitetin dhe përfshirjen me të gjithë australianët”.
Pas sulmit të Hamasit ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor 2023, një numër i madh ekspertësh të OKB-së për të drejtat e njeriut kanë pohuar se veprimet ushtarake të Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid.
Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vlerësuar si të besueshme akuzat për gjenocid ndaj shtetit izraelit.
Vendimi përfundimtar nëse Izraeli do të marrë pjesë apo jo pritet të merret në dhjetor nga organi drejtues i Eurovisionit.
Edicioni i 70-vjetorit të festivalit do të zhvillohet në kryeqytetin austriak, me gjysmëfinalet më 12 e 14 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet me datë 16 maj 2026. /A.Z/UBT News/