Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për një propozim për marrjen e Rripit të Gazës nga SHBA dhe zhvendosjen e palestinezëve që jetojnë atje janë “të rrezikshme për stabilitetin dhe procesin e paqes”, tha sot një zëdhënëse e qeverisë franceze.
“Franca është plotësisht kundër transferimeve të popullsisë”, tha Sophie Primas duke shtuar se Franca po i qëndron politikës së saj – nuk ka transferime të popullsisë, duke kërkuar një armëpushim të përkohshëm, ndërsa shkon drejt një procesi paqeje dhe një zgjidhje me dy shtete, izraelite dhe palestineze.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, riafirmoi sot se palestinezët duhet të jenë në gjendje të “jetojnë dhe të lulëzojnë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor”, duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit amerikan Trump për një kontroll të mundshëm të Gazës nga SHBA dhe zhvendosjen e palestinezëve.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha sot se Rripi i Gazës “i përket palestinezëve, ashtu si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor, dhe duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez”.
“Popullsia civile e Gazës nuk duhet të dëbohet dhe Gaza nuk duhet të pushtohet ose rikolonizohet përgjithmonë,” tha Burbock në një deklaratë.
Trump deklaroi mbrëmë se ai dëshiron të marrë kontrollin e Gazës së shkatërruar nga lufta, të zhvendosë banorët e saj dhe ta kthejë atë në “Côte d’Azur të Lindjes së Mesme”.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka hedhur poshtë me vendosmëri planin që Shtetet e Bashkuara (SHBA) të marrin Rripin e Gazës, si dhe thirrjet për transferimin me forcë të palestinezëve që jetojnë atje.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha gjithashtu sot se plani i presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e popullsisë nga Rripi i Gazës është i papranueshëm “Deklarata e Trump për Gazën është e papranueshme”, tha ministri në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu.
Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelati bëri thirrje sot për rindërtimin e shpejtë të Rripit të Gazës, pa zhvendosur banorët e tij dhe tha se Autoriteti Palestinez duhet të marrë përgjegjësinë në territor.
Hamasi e quajti qesharake dhe absurde deklaratën e Trump për Gazën.