UBT News

Franca akuzon rëndë Britaninë për shantazh financiar dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar

Ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, e ka akuzuar ministren britanike të Punëve të Brendshme, Priti Patel, për komplot për shantazh financiar dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar detar në një mosmarrëveshje diplomatike që po thellohet rreth përpjekjeve për t’ua pamundësuar imigrantëve kalimin e Kanalit Anglez me barka.

Darmanin tha se planet e Mbretërisë së Bashkuar, të publikuara të mërkurën në mbrëmje, për t’i kthyer prapa barkat me persona të ndjeshëm në ujërat franceze nuk do të pranohen nga qeveria në të cilën ai bën pjesë.

“Franca nuk do të pranojë asnjë praktikë që e shkel ligjin detar apo ndonjë shantazh financiar. Zotimet e Britanisë duhet të respektohen. Ia thashë këtë qartazi homologes sime”, shkroi ministri francez në llogarinë e tij në Twitter.

Deklarata e tij e pasqyron zemërimin e Parisit zyrtar rreth planeve të raportuara nga qeveria britanike për fillimin e kthimit të barkave me migrantë posa ato të hyjnë në ujërat britanike të Kanalit Anglez, shkruan The Guardian.

Në anën tjetër, Patel, e cila është nën trysni nga Kryeministri Johnson dhe deputetët e Partisë Konservatore në pushtet për ta ndaluar qarkullimin e imigrantëve përmes Kanalit Anglez, e ka miratuar strategjinë e re.

Zyrtarët francezë janë zemëruar edhe nga raportimet se Britania mund të tërheqë rreth 62 milionë euro, të cilat këtë vit i kishte premtuar për t’i financuar patrullimet në veri të Francës derisa nuk bëhet më shumë punë për ta parandaluar kalimin e imigrantëve nëpër Kanalin Anglez.

Një burim brenda Ministrisë së Brendshme të Francës tha se asnjëherë nuk ka pasur diskutime mes palëve për kushtëzimin e pagesës në aspekt numerik. “Një qasje e tillë do të pasqyronte një humbje serioze të besimit në bashkëpunimin tonë”, tha burimi.

Exit mobile version