Një portret i mahnitshëm i një djali të ri palestinez, Mahmoud Ajjour, i cili humbi të dy duar në një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës, ka fituar titullin e fotos më të mirë të “World Press Photo”.
Fotografja Samar Abu Elouf, gjithashtu nga Gaza, takoi nëntëvjeçarin Mahmoud pas tre muajsh, kur ai dhe familja e tij u evakuan në Doha, Katar, për trajtim mjekësor. Ajjour kishte pësuar dëmtime të rënda nga shpërthimi që ia këputi njërin krah dhe ia gjymtoi tjetrin.
Në shënime Abu Elouf tregon për momentin kur nëna e Mahmudit i shpjegoi se fjalët e para pas operacionit ishin: “Si do të jem në gjendje të të përqafoj?”
Foto e publikuar në “The New York Times”, është pasqyrë e dhimbshme e pasojave të luftës në Gaza, e cila ka shkaktuar dhjetëra mijëra të vdekur.
Kjo foto përfaqëson më shumë se një histori personale; ajo tregon një luftë të gjerë që ka pasoja të thella për brezat. Gjyqtarët e “World Press Photo” ishin tërhequr nga kontrastet mes dritës dhe errësirës, bukurisë dhe dhimbjes në imazhin fitues.
Nga më shumë se 60,000 aplikime nga 3,778 fotografë në mbi 140 shtete, ky imazh u zgjodh si më i miri.
Dy vepra të tjera janë nderuar si nënkampione, duke përfshirë një imazh të emigrantëve kinezë që ngrohen nga një zjarr pas kalimit të kufirit SHBA-Meksikë dhe një fotografi tronditëse e një të riu që kalon një shtrat lumi të shkretëtiruar në Amazonë.
Imazhet fituese janë ekspozuar në Amsterdam dhe do të shfaqen gjithashtu në Londër, Sidnej, Xhakartë dhe Mexico City.