Një foshnjë e humbur gjatë evakuimit kaotik të dhjetëra mijëra afganëve në aeroportin e Kabulit është ribashkuar me të afërmit e tij pas pesë muajsh.
Babai i djalit ia dorëzoi foshnjën dy muajshe, Sohail Ahmadin, një ushtari të huaj mes turmave të dëshpëruara për t’u larguar nga talibanët pasi ata pushtuan kryeqytetin në mes të gushtit.
Dyshja u ndanë dhe çfarë ndodhi më pas është e paqartë – por shoferi i taksisë Hamid Safi tha se e gjeti fëmijën duke qarë dhe vetëm në dyshemenë e aeroportit të njëjtën ditë.
“E çova tek disa gra për ta ushqyer por ato nuk e bënë… unë vazhdova të kërkoja familjen e tij”, tha Safi, i cili kishte shkuar në aeroport për të ndihmuar vëllain e tij në evakuim.“Më pas thirra gruan time dhe ajo tha sille foshnjën në shtëpi”.
Çifti tha se ata vazhduan të kërkonin për prindërit e djalit, por pasi nuk i gjetën ata, i dhanë emrin Mohammad Abed dhe filluan të kujdeseshin për të.
“Nëse nuk do të kishim gjetur familjen e tij, atëherë do ta kishim mbrojtur dhe rritur atë si fëmijën tonë”, tha Safi, 29 vjeç, për AFP.
Ndërkohë, babai i foshnjës , Mirza Ali Ahmadi, kërkoi për tre ditë në aeroport për djalin e tij të zhdukur, duke zgjedhur më në fund të hipte në një fluturim për në Shtetet e Bashkuara me gruan dhe katër fëmijët e tjerë. Kjo pasi shumë afganë kishin frikë nga rikthimi i sundimit të ashpër të talibanëve.
Vetëm disa ditë më parë, të afërmit e Sohail u gjetën në Kabul me ndihmën e mediave sociale dhe policisë, dhe djali iu dorëzua gjyshit të tij nga çifti Safi. “Ndihesha përgjegjëse për të si nënë”, tha gruaja e Safit, Farimah.
“Ai zgjohej shumë natën… tani kur zgjohem ai nuk është aty dhe kjo më bën të qaj. Unë jam një nënë. E kuptoj që ai nuk do të jetë gjithmonë me ne dhe duhet të jetë me prindërit e tij”, i tha ajo AFP-së.
Të dielën, gjyshi i Sohail, Mirza Mohammad Qasemi, ftoi familjen Safi në shtëpinë e tij në Kabul për të kaluar kohë me djalin, i cili po trajtohej me shumë dashuri.
“Ata u kujdesën për të për pesë muaj dhe ishin shumë të lidhur me të”, tha ai për AFP, duke shtuar se çifti fillimisht kishte hezituar ta dorëzonte.
Qasemi, i cili tha se edhe ai kishte qenë në kërkim të nipit të tij, është i emocionuar që Sohail tani do të mund të bashkohet me prindërit e tij në Shtetet e Bashkuara.
“Ishte e vështirë për vajzën time. Ajo po qante dhe nuk hante asgjë”, tha Qasemi duke fshirë lotët e tij teksa shikonte foshnjën duke fjetur.
Derisa Sohail t’i bashkohet prindërve të tij, për të do të kujdeset tezja e tij, tha Qasemi.
“Ne ishim në një gjendje të keqe këto pesë muajt e fundit … por kur gjetëm foshnjën tonë, ne ishim të lumtur që Zoti na e ktheu fëmijën tonë”, tha babai i foshnjës, Ahmadi, me telefon nga Amerika./UBTNews/