UBT News

Forumi Ekonomik i Vjenës e cilëson Kosovën si pjesë integrale të Evropës, Jackovich: Ka shumë presione nga jashtë

Nën Patronatin e kryeministrit Albin Kurti, Forumi Ekonomik i Vjenës (VET) ka mbajtur konferencën me titull “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”.

Elena Kirtcheva, anëtare e bordit dhe sekretare e përgjithshme e Forumit Ekonomik të Vjenës, tha se qëllimi kryesor forumit është konsolidimi i rajonit, i cili, sic tha ajo, ka nevojë për Evropën, por edhe i nevojitet asaj.

“Ne duhet të shohim përpara duke pasur prioritet konsolidimin e rajonit. Ky është qëllimi kryesor i një forumi ekonomik, që të ketë konsolidimin sepse rajoni ka nevojë për Evropën, por më lejoni të them që Evropa ka nevojë për rajonin gjithashtu”, është shprehur Kirtcheva.

Edhe kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, Victor Jackovich, tha se Kosova është pjesë integrale e Evropës, teksa konsideroi se ka edhe një ekonomi të gjallë.

Ndërsa, për sfidat, Jackovich tha se Kosova ka edhe presione nga jashtë, por se beson se do t’i kapërcejë ato.

“Sot ju keni një ekonomi të gjallë, një shtet funksional, një popullatë shumë të talentuar dhe një qeveri të mençur. Ka shumë sfida që përballeni, edhe presione do të thosha prej shumë vendeve të ndryshme, nga Uashingtoni, nga Brukseli, nga Beogradi, nga kudo. Ndoshta ky është fati i një shteti të vogël. Sepse ju keni një demokraci dhe sepse keni mbështetjen e popullit tuaj dhe një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, ju jeni në gjendje t’i përballoni këto sfida dhe t’i kapërceni ato dhe është në këtë mjedis Forumi Ekonomik i Vjenës do të vazhdojë”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, në këtë forum, tha se si qeveri kanë bërë investime ne fushën e ekonomisë, e sipas tij  organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin e Kosovës në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar përparimin tonë të rëndësishëm në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ne kemi forcuar gjithashtu urat tona me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se kjo përpjekje përfaqësohet më së miri jo nga numrat, por nga takimet e panumërta. Kam pasur kënaqësinë të jem pjesë e vendit ku ndajmë sfidat fitoret dhe vizionet me njëri-tjetrin, ndërsa përmenda arritjet e së kaluarës, jam edhe më entuziast për ato të së ardhmes që po shikojmë në vitet ambicioze dhe të gjelbra përpara”, deklaroi ai tutje.

Ai përmendi edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.

“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megabit të prodhuar nga energjitë e rinovueshme. Po krijojmë gjithashtu fondet e para sovrane të pasurisë së vendit tonë”, shtoi ai.

Exit mobile version