Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka formuar grupin punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Por në këtë grup të punës, nuk do të jenë edhe partitë opozitare.
Ata e kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e tyre, shkak pasi thonë se raporti i Komisionit të Venecias për këtë gjë nuk ka qenë pozitiv sa i përket votimit të këtij projektligji.
Duke e arsyetuar mungesën e tyre, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka theksuar se as subjekti të cilin e përfaqëson nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij grupi punues për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Sipas leximit tim Komisioni i Venecias nuk e aprovon këtë projektligj. Kam bindjen time se me formën se si e ka propozuar qeveria këtë projektligj është i papërmirësueshëm, duhet pos ta rishkruajnë nga fillimi”, ka thënë Selmanaj.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në këtë grup punues, pasi sipas tij raporti i Komisionit të Venecias për këtë gjë nuk ka qenë pozitiv sa i përket votimit të këtij projektligji.
“Ne si PDK duke i parë rekomandimet e Komisionit të Venecias mendojmë se ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën përveç qëllimit, nuk do të marrim pjesë në grupin punues. Kërkojmë të krijohet një konsensus me subjektet ta rikthejmë, ta bëjmë një ligj të zbatueshëm”, ka thënë Beqa.
Po ashtu edhe nga AAK janë kundër, Besnik Tahiri e bëri të ditur këtë në mbledhjen e sotme.
“Kërkoj që ky ligj të ridraftohet dhe të rishkruhet në mënyrë që të vjen në seancë për votim”, ka thënë Tahiri.