UBT News

Formohet grupi punues për monitorimin e ligjit anti-Covid

Komisioni për Shëndetësi gjatë mbledhjes së sotme ka formuar grupet punuese për monitorim të zbatimit të dy ligjeve, atë për Shëndetin Mendor dhe ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Edhe në këtë mbledhje opozita ka kërkuar që fushëveprimtaria dhe emërtimi i Komisionit për Shëndetësi të plotësohet edhe me mirëqenin sociale.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Karameta do ta kryesor grupin punues të monitorimit të ligjit për Shëndetin Mendor. Ai tha se meqenëse ky ligj ka ngecje në zbatueshmëri duhet të bëhet një analizë rreth kësaj çështje për të parë se a ka nevojë për amandamentim.

Anëtar të këtij grupi punues janë edhe deputetë, Haxhi Avdyli, Armend Zemaj, Shemsedin Dreshaj, Uran Ismajli dhe Fatmire Kollçaku.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu u vendos që të kryesojë grupin punues për ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në këtë grup punues do jenë anëtarë edhe deputetë Armend Zemaj, Labinot Demi-Murtezi, Shemsedin Dreshaj, Mirsad Shkreta dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku.

Ishte kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, e cila tha se kërkesa e saj me mbështetjen e deputetëve anëtarë të komisionit u procedua në seancë, por në mungesë të votave nuk u procedua tutje.

Armend Zemaj, deputet nga LDK, tha se meqenëse është planifikuar plotësim ndryshimi i shumë ligjeve, Qeveria duhet të tregojë orientimet ligjore që lidhen me shëndetin.

“Ne jemi në proces të shumë plotësim-ndryshimeve të shumë ligjeve në procedurë legjislative. Tash edhe ne vetë dhe qeveria duhet të dijë se ku dëshiron t’i orientoj ndryshimet ligjor që lidhen me shëndetin. E fundit rregullorja është në plotësim ndryshim”, tha ai.

E anëtari i këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu po insiston që kjo kërkesë të rikthehet në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe të hidhet në votim në mënyrë që t’i kthehet emërtimi i mëhershëm Komisionit për Shëndetit, duke përfshirë edhe mirëqenies sociale.

Ndërsa, kthimin e mirëqenies sociale në fushëveprimtarinë e Komisionit për Shëndetësi e kërkoi edhe deputeti nga AAK, Shemsedin Dreshaj.

“Mendoj se që Komisioni kemi shteruar këtë punë dhe kemi prezantuar mjaftë argumente edhe para Kuvendit mendoj që i vetmi gjë që duhet të bëjmë të mos vonohemi që mos të përzihemi edhe në agjendën e komisioneve të tjera sepse edhe ata hartojnë një strategji të punës”, theksoi Dreshaj.

Exit mobile version