Fondacioni Bill dhe Melinda Gates thotë se do të shtojë 1.23 miliardë euro për përpjekjet për t’i dhënë fund poliomielitit në mbarë botën.
Paratë do të përdoren gjithashtu për të ndaluar shpërthimet e varianteve të reja të virusit. Njoftimi u bë në Samitin Botëror të Shëndetësisë që po mbahet në Berlin.
Pakistani ka raportuar 20 raste të poliomielitit deri më tani këtë vit, të gjitha në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa.
Afganistanit, i cili ka regjistruar dy raste këtë vit, më parë i mungonte aksesi në vaksina për shkak të dhunës dhe ndalimit të talibanëve për ekipet e poliomielitit në zonat nën kontrollin e tij.
Megjithatë vitin e kaluar, disa muaj pasi morën Afganistanin, talibanët ranë dakord të lejonin punonjësit e shëndetësisë të OKB-së të fillonin një fushatë kombëtare.
Pavarësisht miliarda eurove që kanë shkuar në përpjekjet për të zhdukur poliomielitin që nga viti 1988, OBSH ka humbur afate të përsëritura për të zhdukur sëmundjen dhe është kritikuar vazhdimisht për dështimin për t’u përshtatur me sfidat.
Kreu i organizatës, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, ishte i prirur të theksonte se shëndeti duhet të konsiderohet një investim kyç për arritjen e një zhvillimi më të gjerë.
“Shëndeti është një e drejtë themelore e njeriut. Nuk është luks”, tha ai./UBTNews/