UBT News

FMN paralajmëron për ndikimin e krizës së refugjatëve në ekonominë e Afganistanit

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se ekonomia e Afganistanit mund të tkurret deri në 30 për qind këtë vit, duke kërcënuar që miliona afganë të përballen me varfëri dhe që ndikimi ekonomik dhe ai i sigurisë të përhapet edhe në Turqi dhe Evropë.

Afganistani është përballur me tronditje të shumta prej kur talibanët janë kthyer në pushtet në mesin e muajit gusht, çka ka rezultuar me rënie të importeve, rritje të inflacionit, rënie të standardit të jetesës si dhe me shumë persona të zhvendosur brenda shtetit, të cilët mund të tentojnë të largohen jashtë tij, ka thënë FMN.

Pa dhënë shifra konkret, FMN ka thënë se fluksi i madh i refugjatëve “mund të rëndojë situatën në shtetet nikoqire, të rrisë presionin në tregjet e punës dhe të çojë në tensione shoqërore”, duke përmendur edhe nevojën për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

Në fund të vitit të kaluar, rreth 3.5 milionë persona janë zhvendosur brenda Afganistanit, derisa në gjithë botën kanë qenë 3 milionë refugjatë afganë – gjysma e tyre në Pakistanin fqinj./REL/

Exit mobile version