UBT News

FMN: Nëse masat e BE-së mbesin gjatë në fuqi do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella ka realizuar një vizitë stafi në Prishtinë, nga 31 korriku deri më 4 gusht 2023 për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit makroekonomike dhe zhvillime të tjera, përfshirë progresin në zbatimin e Marrëveshjes parandaluese Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Pas përmbylljes së vizitës, Di Bella ka thënë se në kontekstin sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë për vitin 2023 deri më tani kanë mbetur të favorshme, duke shtuar se inflacioni vazhdon të shënojë rënie dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse ka filluar të ngushtohet.

“Të hyrat fiskale vazhdojnë të rriten me ritëm të qëndrueshëm, ka filluar të rritet zbatimi i programit të investimeve publike dhe rezervat fiskale kanë mbetur në nivele të duhura. Megjithatë, paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe perspektive të cilat, nëse materializohen, mund t’i rëndojnë sfidat e politikave”, është shprehur ai.

Bella ka folur për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, për të cilat është shprehur se mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik.

“Në veçanti, zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Përderisa, nëse hiqen në afat të shkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë”, ka shtuar tutje ai.

Gjatë vizitës, ekipi i FMN-së ka diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike dhe të politikave, si dhe progresin me projektbuxhetin për vitin 2024. Ekipi gjithashtu ka vlerësuar progresin e shënuar në përmbushjen e angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga fondi.

Exit mobile version