UBT News

FMN kundër tërheqjes së kursimeve pensionale nga Trusti

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, ka përfunduar vizitën e stafit në Kosovë në periudhën 10-13 dhe 20 maj, ku u diskutua mbi zhvillimet, perspektivën dhe politikat e fundit ekonomike.

Në deklaratën e tij, Di Bella ka bërë të ditur se kundërshton tërheqjen e parave nga Trusti Pensional i Kursimeve, propozim ky i dhënë së fundi nga partitë opozitare në vend. Ai ka folur edhe rreth tarifave të reja të energjisë në muajin shkurt, për çka ka thënë se ishin lëvizje të duhura të politikave.

Ai shtoi se inflacioni më i lartë, i cili si pasojë e rritjes së çmimeve të importit pritet të arrijë në më shumë se 10 për qind në vitin 2022, kërkon mbështetje të targetuar dhe të përkohshme për t’i ndihmuar familjet e cenueshme.

“Duke pasur parasysh uljen e madhe të vlerës reale të pagës minimale, stafi u pajtua me propozimin për rritjen e saj për rreth 50 për qind, dhe u pajtua me autoritetet për nevojën e shkëputjes së kësaj rritjeje dhe transfereve të tjera buxhetore me pagën minimale. Stafi i FMN-së shprehi kundërshtimin e fortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme. Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit. Autoritetet janë përgjigjur shpejtë me subvencione për inpute bujqësore, bonuse në paga dhe rritje të përkohshme të pensioneve dhe transfertave sociale. Në të njëjtën kohë, autoritetet janë përmbajtur nga shkurtimet tatimore nga të cilat, në mënyrë joproporcionale, përfitojnë personat në gjendje më të mirë ekonomike dhe janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u rivendosur. Rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin gjithashtu lëvizje të duhura të politikave. Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin”, tha ai.

Di Bella ka thënë po ashtu se “Lufta në Ukrainë paraqet tronditje të rëndë për Kosovën. Përderisa kanalet e drejtpërdrejta tregtare dhe financiare me vendet në konflikt janë të papërfillshme, ndikimi i rritjes së çmimeve ndërkombëtare të ushqimit dhe energjisë në importet e Kosovës mund të jetë deri në 5.5 për qind të BPV-së”.

Përderisa dinamika nga rimëkëmbja e vitit të kaluar është ende e fortë, Di Bella tha se tronditja do të ndikojë pashmangshëm në kërkesën dhe aktivitetin ekonomik në vitin 2022.

“Edhe pse pandemia dhe lufta përbëjnë sfida serioze, ato gjithashtu kanë nxitur interesimin e investitorëve për t’u zhvendosur në Evropë. Mbajtja e politikave të shëndosha makroekonomike dhe stabilitetit financiar, si dhe avancimi me zbatimin e reformave do të jenë thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë. Rishikimi i planifikuar i buxhetit për vitin 2022 duhet të përshkruajë se në çfarë mënyre programet mbështetëse janë duke arritur tek më të cenuarit, si dhe në çfarë mënyre është duke u ruajtur funksionimi adekuat i zinxhirit të vlerës së energjisë elektrike karshi subvencioneve aktuale të energjisë elektrike”, tha ai derisa ka shtuar se sektori bankar deri më tani i ka përballuar mirë tronditjet e fundit, i ndihmuar nga korniza e mirë rregullative.

Sipas FMN-së, një bankë qendrore e pavarur, e përgjegjshme dhe plotësisht funksionale është jetike për stabilitetin e sistemit financiar.

“Emërimi i dy anëtarëve të rinj të Bordit në dhjetorin e kaluar, duke rivendosur kështu kuorumin në bordin mbikëqyrës pas një viti e gjysmë, ishte hap i mirëpritur. Megjithatë, pozita e lirë e zëvendësguvernatorit duhet të plotësohet urgjentisht në mënyrë që të parandalohet çdo ndikim negativ në kapacitetin e BQK-së për të vepruar ose për të marrë vendime ekzekutive gjatë këtyre kohërave të vështira”, ka thënë di Bella derisa ka shtuar se mirëpresin vazhdimin e dialogut në konsultimet të ardhshme në kuadër të Nenit IV për vitin 2022 në tetor. 

Exit mobile version