Inteligjenca Artificiale do të godasë së paku 40% të profesioneve, sipas një analize të re nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva tha se “në shumicën e skenarëve, AI-ja do të përkeqësojë mbi të gjitha pabarazinë”. Sipas saj, politikbërësit duhet të adresojnë “shqetësimet” për të “parandaluar teknologjinë nga nxitja e mëtejshme e tensioneve sociale”.
Përhapja e Inteligjencës Artificiale ka sjellë në qendër të vëmendjes përfitimet dhe rreziqet e saj.
FMN tha se AI mund të ndikojë një përqindje më të madhe të vendeve të punës – në rreth 60% – në ekonomitë e zhvilluara. Sipas FMN-së, në gjysmën e këtyre rasteve, punëtorët mund të përfitojnë nga integrimi i Inteligjencës Artificiale, që do të rrisë produktivitetin e tyre.
Në raste të tjera, AI do të ketë aftësinë për të kryer detyra kyçe që aktualisht ekzekutohen nga njerëzit. Kjo mund të ulë kërkesën për punë, duke ndikuar në paga dhe madje duke zhdukur vendet e punës.
Ndërkohë, FMN-ja parasheh se teknologjia do të prekë vetëm 26% të vendeve të punës në vendet me të ardhura të ulëta./UBTNews/