Ekonomia globale po kalon nga një botë e parashikueshmërisë relative në një botë me pasiguri më të madhe, sipas Drejtoreshës Menaxhuese të FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila paralajmëron se vendet që përbëjnë rreth një të tretën e ekonomisë globale do të përballen me të paktën dy tremujorë radhazi rënieje këtë ose vitin tjeter.
Georgieva tregoi të enjten se Perspektiva Ekonomike Botërore, e cila do të publikohet javën e ardhshme, do të ulë edhe më tej parashikimet e rritjes globale.
“Ne i kemi ulur parashikimet tona të rritjes tre herë tashmë, në vetëm 3.2% për 2022 dhe 2.9% për 2023. Dhe siç do ta shihni në Perspektivën tonë të përditësuar të Ekonomisë Botërore javën e ardhshme, ne do të ulim rritjen për vitin e ardhshëm”, tha ajo.
“Dhe, edhe kur rritja është pozitive, do të ndihet si një recesion për shkak të tkurrjes së të ardhurave reale dhe rritjes së çmimeve”, tha më tej ajo.
Duke parë se pasiguria mbetet jashtëzakonisht e lartë në kontekstin e luftës dhe pandemisë, ajo tha se mund të ketë edhe më shumë goditje ekonomike./UBTNews/