UBT News

FMN: Ekonomia e Ukrainës ‘drejt kolapsit’ nëse lufta vazhdon

Qeveria e Ukrainës vazhdon të funksionojë, sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe pagesat e borxhit janë të zbatueshme në afat të shkurtër, por pushtimi rus mund ta zhysë Ukrainën në një recesion shkatërrues, tha të hënën Fondi Monetar Ndërkombëtar.

FMN paralajmëroi se lufta mund të ketë pasoja më të gjera, duke përfshirë kërcënimin e sigurisë globale të ushqimit për shkak të rritjes së çmimeve dhe pamundësisë për të kultivuar, veçanërisht grurë.

Së paku, vendi do të shihte “prodhimin të bjerë 10 për qind këtë vit, nëse supozohet një zgjidhje e shpejtë e luftës”, tha FMN në një analizë të ekonomisë në vazhdën e pushtimit rus.

Por Fondi paralajmëroi për “pasiguri masive” rreth parashikimeve dhe nëse konflikti zgjatet, situata do të përkeqësohet!

Duke cituar të dhënat e kohës së luftës për konfliktet në Irak, Liban, Siri dhe Jemen, FMN tha se “tkurrja vjetore e prodhimit mund të jetë përfundimisht shumë më e lartë, në intervalin 25-35 përqind”.

Ekonomia e vendit u rrit 3.2 për qind në vitin 2021, mes një korrje rekord të grurit dhe shpenzimeve të larta të konsumatorit, transmeton UBT News.

Por në vazhdën e pushtimit rus më 24 shkurt, “ekonomia në Ukrainë ndryshoi në mënyrë dramatike”, tha Vladyslav Rashkovan, drejtor alternativ ekzekutiv për Ukrainën në bordin e FMN-së.

“Që nga 6 marsi, 202 shkolla, 34 spitale, më shumë se 1,500 shtëpi banimi duke përfshirë shtëpi me shumë apartamente, dhjetëra kilometra rrugë dhe objekte të panumërta të infrastrukturës kritike në disa qytete të Ukrainës janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht nga trupat ruse”, tha zyrtari në një deklaratë.

Portet dhe aeroportet gjithashtu janë mbyllur për shkak të “të shkatërrimit masiv”, tha ai.

Oleg Ustenko, këshilltar ekonomik i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar vlerësoi dëmin në 100 miliardë dollarë deri më tani./UBTNews/

Exit mobile version