Në vendkalimin kufitar të Morinës gjatë dy ditëve të fundit kanë kaluar mbi 31 mijë persona dhe mbi 11 mijë automjete.
Prefekti i Qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, tha sot për ATSH-në se të shtunën dhe të dielën ka pasur një rritje të numrit të shtetasve të huaj, si dhe shqiptarëve të Kosovës që kaluan në pikën Kufitare të Morinës.
Sipas tij, situata në pikën doganore është mirë menaxhuar pa krijuar pritje në radhët e pasagjerëve.
“Vetëm ditën e sotme kanë hyrë në vendin tonë 16.880 shtetas të huaj, 2.917 shtetas shqiptarë, 4.411 mjete të huaja dhe 1.367 mjete shqiptare”, tha Kuçana.
Në Rrugën e Kombit mëngjesin e sotëm kishte fluks automjetesh, të cilat janë drejtuar për të kaluar fundjavën në bregdetin shqiptar, ku ndër destinacionet më të preferuara janë Durrësi dhe Shëngjini.
Pavarësisht pandemisë COVID-19, pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik për të kaluar pushimet e tyre.
Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit. Shqiptarët e Kosovës, vijojnë të kryesojnë me fluksin më të madh të vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj pike doganore./atsh