Gruaja e cila dyshohet se u plagos nga burri i saj në Fushë Kosovë po trajtohet në Klinikën Emergjente. Mjeku kujdestar, Ejup Govori tha se gjendja e saj është stabile, mirëpo sipas tij lëndimet janë serioze.
“Pacientja ka ardhur rreth orës 08:00 në mëngjes. Gjendja e saj për momentin është stabile, megjithëse lëndimet janë të rënda. Lëndimet janë me armë zjarri, janë në dy ekstremitete edhe në gjoks dhe në regjionin e abdomenit. Është ne ekzaminim e sipër, në trajtim e sipër në Emergjencë. Kur të dalin rezultatet… do të teajtohet nga mjekët përkatës. Lëndimet janë të rënda, mirëpo gjendja e saj është stabile. Ka lëndime serioze në gjoks. Mirëpo për momentin është stabile me parametra të akceptueshëm”, deklaroi ai.
Raportohet se gruaja 42-vjeçare është plagosur në Bresje të Fushë Kosovës, për çka dyshohet se veprën e ka kryer burri i saj me armë zjarri, i cili është arrestuar.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se jë grua është plagosur mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë.
Lidhur me këtë rast, Ahmeti theksoi se policia ka arrestuar një person të dyshuar.
“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti./UBTNews/