Me shpalljen e fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, një valë e madhe urimesh dhe përshëndetjeje ka pushtuar rajonin. Liderët politikë të shumtë, duke shprehur mbështetje dhe entuziazëm për rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, kanë nxituar të dërgojnë mesazhe, duke theksuar rëndësinë e këtij momenti për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën globale. Kjo fitore e Trump-it ka shkaktuar jo vetëm reagime në SHBA, por edhe një ndryshim të madh në dinamikat politike të rajonit, ku çdo lëvizje dhe mesazh ka një peshë të veçantë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social X, ka përshëndetur fitoren e Trump-it, duke e quajtur atë “të jashtëzakonshme”. Rama u shpreh se mezi pret të punojë me administratën e re, ndërsa theksoi se ishte një nder të kishte bashkëpunuar me presidentin e 46-të, Joe Biden.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, gjithashtu ka uruar Trump-in për fitoren, duke e cilësuar ShBA-në si partnerin e palëkundur dhe aleatin e domosdoshëm të Kosovës.
“Mezi pres të punoj me administratën e re për t’i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka shkruar ajo në X.
Ndërkohë, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe Kryeministri hungarez, Viktor Orban, kanë shprehur mbështetjen e tyre për rikthimin e Trump-it. Vuçiq ka theksuar përkushtimin e Serbisë për të punuar me ShBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe.
“Urime Donald Trump për fitoren. Bashkë, ne përballemi me sfida serioze”, ka shkruar ai.
Orban, nga ana tjetër, e ka quajtur fitoren e Trump-it “rikthimi më i madh në historinë politike të SHBA-së” dhe ka vlerësuar se kjo është një fitore shumë e nevojshme për botën.
“Urime për presidentin Donald Trump për fitoren e tij të madhe”, ka shkruar ai në X.
Reagimet e liderëve të rajonit tregojnë mbështetjen e tyre për administratën e re amerikane, duke reflektuar lidhjet dhe interesat e vendeve të tyre në një partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara./UBTNews/