Më shumë se 150 garues nga 20 shtete të ndryshme morën pjesë në Granada të Spanjës muajin e kaluar në Kampionatin Botëror të lojës së fjalëve “Scrabble” në gjuhën spanjishte. Lajmet për fituesin e turneut bënë bujë në gjithë Spanjën, pasi Nigel Richards nuk flet fare gjuhën spanjishte, shkruan “The Guardian”.
“Një poshtërim i jashtëzakonshëm” ishte mënyra sesi një prezantues i lajmeve e përshkroi ngjarjen këtë javë, ndërsa një raport tjetër e etiketoi si “kulmi i absurditetit”.
Por, për ata që e kanë ndjekur Richardsin, një zelandez me banim në Malajzi i njohur si Tiger Woodsi i “Scrabble”, arritja duket e përshtatshme.
“Ky është dikush me aftësi shumë të veçanta dhe të pabesueshme. Ai është një person i talentuar”, ka thënë Benjamin Olaizola për “Cadena Ser”. Ai doli i dyti pas Richardsit në turneun në Spanjë.
“Ne po flasim për një zelandez që ka fituar shumë kampione në gjuhën angleze – të paktën pesë prej tyre”, tha Olaizola.
Titulli spanjoll nuk ishte hera e parë që Richards tregoi aftësitë në lojën e fjalëve “Scrabble” në gjuhë të cilat nuk i flet. Ai në vitin 2015 fitoi botërorin në gjuhën frënge ndonëse nuk ishte në gjendje të fliste apo kuptonte frëngjisht.
Ai thuhet se mësoi përmendësh të gjithë fjalorin “Scrabble” të frëngjishtes për nëntë javë.
“Ai nuk flet fare frëngjisht – thjeshtë mësoi fjalët”, tha shoqja e tij Liz Fagerlund për “New Zealand Herald”.
Ai në vitin 2018 fitoi sërish turneun frankofon. Richards shihet si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në këtë lojë, ai luan mbi tre dekada në këtë lojë.