UBT News

Finlanda tërhiqet nga Traktati i Otavës që ndalon përdorimin e minave tokësore

Finlanda ka vendosur të tërhiqet nga Traktati i Otavës, i cili ndalon përdorimin e minave kundër personelit (anti-njeri), për shkak të shqetësimeve të sigurisë të shkaktuara nga Rusia, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë finlandeze të lajmeve YLE, në Parlamentin finlandez u mbajt një votim për t’u tërhequr nga Traktati i Otavës, i cili ndalon përdorimin e minave kundër personelit.

Vendimi për t’u tërhequr nga Traktati i Otavës u miratua me 157 vota pro dhe 18 kundër në një votim ku morën pjesë 175 deputetë. Vendimi duhet të miratohet nga presidenti. Finlanda do të fitojë të drejtën për të grumbulluar dhe vendosur mina 6 muaj pasi të njoftojë OKB-në dhe vendet e tjera palë për vendimin.

Raporti i përgatitur nga Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme mbi propozimin e qeverisë për t’u tërhequr nga Traktati i Otavës theksoi se minat janë një mjet mbrojtës për Finlandën dhe janë bërë të nevojshme në mjedisin e sigurisë në dobësim.

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Edvard Hakkanen në një postim në llogarinë e tij në mediat sociale, përgëzoi deputetët që morën pjesë në votim duke thënë: “Mesazhi është i qartë: Finlanda është e bashkuar dhe e vendosur për të forcuar aftësitë e saj mbrojtëse”.

Presidenti finlandez Alexander Stubb e kishte mbrojtur tërheqjen nga traktati me arsyetimin se është fqinj me Rusinë, të cilën e cilësoi si një “shtet agresiv dhe imperialist”. Ndërkohë, në Parlament u votua edhe mendimi shtesë i komisionit se Finlanda do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë për aktivitetet humanitare, siç është pastrimi i minave në rajonet e krizës.

Polonia, Lituania, Estonia dhe Letonia njoftuan gjithashtu se kanë planifikuar tërheqjen nga Traktati i Otavës për shkak të shqetësimeve për sigurinë në rajon.

– Traktati i Otavës

Traktati i Otavës, i cili hyri në fuqi më 1 mars të vitit 1999, që njihet ndryshe shkurtimisht si “Traktati i Ndalimit të Minave”, është një Traktat për “Ndalimin, përdorimin, Grumbullimin (stokut), Prodhimin dhe Transferimin e Minave Anti-Personel dhe lidhur me Shkatërrimin e Tyre”.

Në Traktatin e Otavës janë palë 164 vende ndërsa 132 e kanë nënshkruar dhe ratifikuar traktatin.

Asnjë nga vendet që kanë nënshkruar traktatin nuk prodhon mina tokësore. Ndërsa 12 vendet që nuk i janë bashkuar traktatit janë: Rusia, Kina, SHBA-ja, Kuba, India, Pakistani, Irani, Mianmari, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Singapori dhe Vietnami. Këto vende ende rezervojnë “të drejtën për të prodhuar mina”.

Exit mobile version