UBT News

Finlanda shteti më i lumtur në botë

Për të pestën herë radhazi Finlanda është zgjedhur vendi më i lumtur në botë, sipas Raportit Botëror të Lumturisë, të publikuar të premten, raporton CNN. Afganistani renditet si vendi më i palumtur, ndjekur nga Libani.

Serbia, Bullgaria dhe Rumania shënuan rritjen më të madhe të mirëqenies. Rënia më e madhe u vërejt te Libani, Venezuela dhe Afganistani.

Vendet nordike si Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Islanda, të gjitha qëndrojnë shumë mirë në masat që përdor raporti për të shpjeguar gjetjet e tij: jetëgjatësi e shëndetshme, GDP për frymë, mbështetje sociale në kohë telashesh, korrupsion i ulët dhe besim i lartë shoqëror, bujari në një komunitet ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin dhe liri për të marrë vendimet kyçe të jetës.

Afganistani i traumatizuar nga lufta, tashmë në fund të tabelës, po përballet me thellimin e krizës humanitare që kur talibanët morën sërish pushtetin gushtin e kaluar. UNICEF vlerëson se një milion fëmijë nën pesë vjeç mund të vdesin urie këtë dimër nëse nuk ndihmohen./UBTNews/

Exit mobile version