UBT News

Finlanda pezullon përdorimin e vaksinës Moderna te të rinjtë

Instituti shëndetësor finlandez ka rekomanduar pezullimin e vaksinës Moderna te meshkujt nën moshën 30-vjeçare.

Drejtori i këtij Instituti, Mika Salminen në një konferencë për shtyp deklaroi se u raportua për një efekt anësor të rrallë kardiovaskular te meshkujt e moshës nën 30-vjeçare. Ky inflamacion mund të zvogëlojë aftësinë e zemrës për të pompuar gjak dhe gjithashtu mund të çojë në ritme të shpejta ose jonormale të zemrës.

Finlanda pezulloi këtë vaksinë pas Suedisë dhe Danimarkës të cilat të mërkurën njoftuan se do ta suspendojnë përdorimin e vaksinës Moderna te grupmoshat e reja për shkak të efekteve anësore.

Salminen tha se më pak efekte anësore janë raportuar në Finlandë sesa në vendet tjera nordike, duke e marrë si shembull Norvegjinë.

“Por për këtë arsye, në përputhje me parimin e parandalimit, udhëzimet e Institutit janë që vaksina Moderna nuk duhet t’u jepet burrave dhe djemve nën moshën 30-vjeçare tani për tani, por që vaksina Pfizer të përdoret në vend të saj”, tha ai në konferencën për shtyp.

Nëse burrat e moshës nën 30-vjeçare kanë marrë dozën e parë të vaksinës Moderna, të dytën mund ta marrin vaksinën Pfizer.

Finlanda ka marrë rreth 1.35 milion doza të vaksinës Moderna, nga të cilat rreth një milion janë administruar deri më tani./UBTNews

Exit mobile version