Finlanda do të vaksinojë vizonët kundër COVID-19, pasi autoritetet miratuan një vaksinë eksperimentale. Vizonët konsiderohen me rrezik për përhapjen e COVID-19.
“Ne kemi përgatitur gjysmë milioni doza tani, që do të jenë të mjaftueshme për vaksinimin e tyre nga dy herë”, deklaroi Jussi Peura, drejtor kërkimor në Shoqatën finlandeze të Fur Breeders, e cila krijoi vaksinën së bashku me studiuesit nga Universiteti i Helsinkit.
Miratimi i kësaj vaksine vlen vetëm për Finlandën, ku deri më tani asnjë rast i koronavirusit të ri nuk është identifikuar në mesin e vizonëve, dhe ku shkalla e transmetimit mes njerëzve ka mbetur një nga më të ultat në Bashkimin Evropian.
Vizoni është e vetmja kafshë e identifikuar deri tani, e cila mund të transmetojë COVID-19 te njeriu. Danimarka që njihet si eksportuesja më e madhe e peliceve të vizonëve në Evropë, u përball me shkatërrimin e industrisë së saj të peliceve, pasi virusi u përhap në qendrat e rritjes së vizonëve para një viti, saktësisht në muajin nëntor të vitit të kaluar. 15 milionë vizonët e vendit u vranë më pas./UBTNews