Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto deklaroi se Finlanda ende shpreson të anëtarësohet në NATO bashkë me Suedinë pavarësisht komenteve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan se Ankaraja mund të miratojë anëtarësimin e Helsinkit pa fqinjin e saj nordik.
“Dëshira jonë në Finlandë ka qenë dhe është ende të anëtarësohemi në NATO së bashku me Suedinë”, u tha gazetarëve në Helsinki Ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto, duke shtuar: “Pozicioni ynë mbetet i njëjtë”.
Ankaraja ka refuzuar të miratojë anëtarësimin e dy vendeve në NATO për shkak se e akuzon Suedinë se është shumë liberale ndaj grupeve që ajo i konsideron si grupe terroriste dhe kërcënim për sigurinë e Turqisë.
Turqia gjithashtu ka reaguar ndaj një vendimi të policisë suedeze për të lejuar mbajtjen e një proteste në të cilën një ekstremist i djathtë dogji një kopje të Kuranit jashtë ambasadës turke në Stokholm në fillim të këtij muaji./UBTNews/