Finlanda duhet të konsiderojë anëtarësimin në NATO pa Suedinë, tha të martën ministri i saj i jashtëm.
Deklarata vjen pasi Turqia përjashtoi mundësinë e dhënies së dritës jeshile për ofertën e Suedisë, pas një proteste në të cilën u djeg Kurani.
Anëtarësimi i përbashkët i dy vendeve nordike mbetet “opsioni i parë”, por “ne padyshim duhet të vlerësojmë situatën, nëse diçka ka ndodhur që do të thotë se në planin afatgjatë Suedia nuk mund të ecë më përpara”, tha Pekka Haavisto.
Megjithatë, ai tha se ishte “shumë herët për të thënë”.
Në maj, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ankaraja ka bllokuar deri më tani ofertat e tyre, në një përpjekje për të bërë Helsinkin dhe Stokholmin të përmbushin disa kërkesa politike, të tilla si ekstradimi i kritikëve të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe grupeve kurde që i konsideron “terroristë”.
Të hënën, Erdogan tha se Suedia nuk mund të llogariste më në mbështetjen e vendit të tij, pas një proteste në të cilën ishte djegur Kurani në kryeqytetin suedez, protestë kjo që shkaktoi protesta në Turqi dhe botën myslimane./UBTNews/