UBT News

Finlanda duhet të luftojë gjuhën e urrejtjes, thotë kandidati presidencial

Finlanda duhet të luftojë gjuhën e urrejtjes kundër pakicave nëse dëshiron të shfaqet “e bashkuar ndaj të gjitha kërcënimeve të jashtme”, përfshirë edhe nga Rusia, ka thënë kandidati kryesor për zgjedhjet presidenciale të vendit.

Vendi nordik, i cili qeveriset nga një koalicion në mesin e të cilit është edhe partia e ekstremit të djathtë finlandez, duhet “të zhvillohet në tolerancë”, tha Pekka Haavisto, ish-ministër i jashtëm i cili do të jetë presidenti i parë i gjelbër dhe homoseksual i Finlandës nëse zgjidhet.

Sipas tij, përveç si çështje që duhet të trajtohet me prioritet, ulja e nivelit të gjuhës së urrejtjes është çelës për siguri kombëtare.

“Nëse duam ta mbajmë vendin të bashkuar kundër të gjitha kërcënimeve të jashtme, përfshirë edhe kërcënimet ruse, është shumë e rëndësishme që ne t’i trajtojmë këto lloj temash në nivel kombëtar, sepse në të kundërtën këto keqpërdoren kundër nesh dhe mund të shfaqen të gjitha llojet e provokimeve. Është e rëndësishme që ne të rritemi në tolerancë si popull finlandez”, tha Haavisto për Guardian.

Zgjedhja e presidentit të ardhshëm finlandez, që do të zhvillohet në sfondin e përshkallëzimit të dramës gjeopolitike në kufirin e vendit me Rusinë, konsiderohet vendimtare për drejtimin e ardhshëm të Finlandës. Kreu i shtetit dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë është përgjegjës për politikën e jashtme, në bashkëpunim me qeverinë dhe përfaqëson Finlandën në samitet e NATO-s, si dhe në takimet me liderët ndërkombëtarë./UBTNews/

Exit mobile version