Policia e shtetit shqiptar ka arrestuar dy persona në Gjirokastër pasi në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, të arrestuar 6 muaj më parë, kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në ambient të hapur në fshatin Këllëz.
Aksioni për arrestimin e H. B. (43) dhe M. B. (66) është realizuar në kuadër të operacionit policor “Ndalesa”.
Personat e arrestuar dyshohet se janë bashkautorë të ngjarjes së ndodhur në gusht 2021, midis fshatit Këllëz dhe Dhoksat, Gjirokastër, në një ambient publik, ku u gjetën 1700 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Në gusht 2021, në kuadër të këtij procesi hetimor, janë vënë në pranga tre shtetas dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër, i cili ndodhet në arrati.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.