“Zero A.D.: The Birth of Christ” është një nga filmat më të shumëpritur të këtij viti, i cili pritet të shfaqet në kinema gjatë muajit dhjetor.
Përveç emrave të njohur të kinematografisë botërore që janë pjesë e kastit, si Jim Caviezel, Deva Cassel dhe Sam Worthington, filmi veçohet edhe për përfshirjen e shqiptarit nga Kosova, Noli Molla, në rolin e producentit ekzekutiv.
I pranishëm së fundmi në pre-premierën e filmit në CineStar, Molla ka ndarë detaje rreth produksionit, buxhetit dhe përfshirjes së tij në këtë projekt ndërkombëtar.
“Buxheti i filmit ka qenë 44 milionë dollarë”, ka deklaruar ai në një intervistë për Telegrafi.com.
Filmi trajton ngjarjen e Lindjes së Krishtit, ndërsa një nga veçoritë e tij është përzgjedhja e aktores Deva Cassel në rolin e Shën Mërisë. Ajo është vajza e aktorëve të njohur Vincent Cassel dhe Monica Bellucci.
Molla ka treguar se për këtë rol kishin audicionuar më shumë se 3 mijë aktore dhe se regjisori e kishte përzgjedhur Deva Cassel pa e ditur fillimisht se kush ishin prindërit e saj.
Ai ka theksuar se përfshirja e saj në projekt ishte veçanërisht emocionuese për të, duke kujtuar edhe rolin e Monica Belluccit në filmin “The Passion of the Christ”.
Gjatë intervistës, producenti kosovar ka folur edhe për planet e tij të ardhshme në industrinë e filmit. I pyetur nëse synon të realizojë një projekt ndërkombëtar për historinë e Kosovës, Molla ka zbuluar se është duke shqyrtuar dy ide: një film për Skënderbeun dhe një tjetër për Adem Jasharin.
Ai ka thënë se realizimi i këtyre projekteve kërkon skenar të fuqishëm dhe përzgjedhje të aktorëve që mund t’u japin atyre jehonë ndërkombëtare./A.K/
