UBT News

Filmi “Michael” kalon 1 miliard dollarë, bëhet më i suksesshmi në historinë e Lionsgate

Filmi biografik “Michael”, i bazuar në jetën e legjendës së muzikës Michael Jackson, është bërë filmi më i suksesshëm në historinë e studios Lionsgate, duke kaluar shifrën e 1 miliard dollarëve në arkëtimet globale (rreth 876 milionë euro).

Me këtë rezultat, “Michael” është filmi i parë i Lionsgate që arrin këtë sukses, duke lënë pas rekordet e mëparshme të “The Hunger Games: Catching Fire” dhe “The Twilight Saga: Breaking Dawn – Part 2”.

Lionsgate ka prodhuar filmin dhe është kujdesur për shpërndarjen në Amerikën e Veriut, ndërsa Universal Pictures ka realizuar shpërndarjen ndërkombëtare.

Presidenti i Lionsgate Motion Picture Group, Adam Fogelson, tha se publiku e ka përqafuar filmin që nga dita e parë, duke e kthyer atë në një fenomen kulturor global dhe duke dëshmuar popullaritetin e vazhdueshëm të Michael Jackson.

“Michael” është një nga filmat e paktë që kanë kaluar kufirin e 1 miliard dollarëve në vitin 2026. Para tij, këtë sukses e kishte arritur vetëm “Super Mario Galaxy Movie”, ndërsa “Toy Story 5” pritet t’i bashkohet këtij grupi, pasi deri më tani ka arkëtuar rreth 770 milionë euro.

Filmi është drejtuar nga Antoine Fuqua dhe rrëfen jetën e Michael Jackson, nga ditët me grupin Jackson 5 deri në ngritjen e tij si “Mbreti i Popit”. Rolin kryesor e interpreton Jaafar Jackson, kushëriri i artistit, ndërsa Colman Domingo dhe Nia Long luajnë rolet e prindërve të tij, Joe dhe Katherine Jackson.

Sipas raportimeve, Lionsgate po shqyrton realizimin e të paktën edhe një filmi tjetër të bazuar në jetën e Michael Jackson./A.K/

Exit mobile version