Një film i ri për jetën e jashtëzakonshme, por edhe të trazuar të Michael Jackson pritet të dalë së shpejti në kinematë botërore. Projekti po parashikohet të ketë një sukses të madh, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të pasqyrojë tërësisht historinë e artistit.
Filmi “Bohemian Rhapsody” pati një prodhim të vështirë, me largimin e aktorit kryesor Sacha Baron Cohen dhe shkarkimin e regjisorit Bryan Singer. Megjithatë, biografia e Freddie Mercury dhe grupit Queen arriti mbi 900 milionë dollarë të ardhura dhe fitoi katër çmime Oscar.
Pas këtij suksesi, producenti Graham King njoftoi në vitin 2019 se do të realizonte një tjetër film biografik për një superyll të muzikës – Michael Jackson. Megjithatë, projekti përballet me një sfidë të madhe, pasi Jackson ishte akuzuar për abuzim me fëmijë. Në vitin 1994 ai arriti një marrëveshje jashtë gjykate me një nga akuzuesit e tij, ndërsa në vitin 2005 u shpall i pafajshëm në një gjykim penal. Avokatët e pasurisë së Jacksonit dhe përfaqësuesit e saj, që janë edhe pjesë e prodhimit të filmit, kanë deklaruar për BBC se “besojnë fuqishëm dhe pa asnjë mëdyshje në pafajësinë e Michael Jacksonit”. Megjithatë, këto akuza mbeten pjesë e historisë së tij, duke e bërë më kompleks realizimin e një filmi të madh hollivudian. Pavarësisht kësaj, analistët e industrisë parashikojnë se filmi “Michael” mund të ketë sukses edhe më të madh se “Bohemian Rhapsody”.
Popullariteti i Jacksonit është rritur ndjeshëm pas vdekjes së tij në vitin 2009, si pasojë e një mbidoze me ilaçe. Aktualisht, ai numëron dhjetëra miliona dëgjues në platformën Spotify, duke u renditur ndër artistët më të ndjekur në botë.
Trashëgimia e tij artistike vazhdon të jetë e pranishme edhe në skenë, përmes spektaklit “Michael Jackson ONE” në Las Vegas dhe muzikalit “MJ The Musical” në Broadway.
Filmi “Michael” u njoftua në janar 2023, me skenar nga John Logan dhe regji nga Antoine Fuqua. Në kast do të përfshihen emra të njohur si Colman Domingo, Miles Teller dhe Nia Long, ndërsa rolin kryesor do ta luajë nipi i tij, Jaafar Jackson.
Sipas një deklarate të vitit 2024, përfaqësuesit e projektit theksuan se që nga fillimi pasuria e Michael Jacksonit i ka besuar plotësisht producentit Graham King, duke qëndruar jashtë procesit krijues.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
