Sukseset për filmin “Heldin” (titulli në anglisht: Late Shift), ku luan edhe aktori shqiptar Ridvan Murati, po vazhdojnë me hapa të mëdhenj në arenën ndërkombëtare.
Pas premierës në Berlinale dhe publikimit në Netflix, vjen një tjetër arritje e rëndësishme: kompania prestigjioze Music Box Films ka siguruar të drejtat e shpërndarjes për Amerikën e Veriut.
Filmi është zgjedhur si përfaqësuesi i Zvicrës për çmimin Best International Feature Film (Filmi më i mirë në gjuhë të huaj) në edicionin e 98-të të Academy Awards (Oscars). Ky është një hap madhor që e vendos “Heldin” në garën për një prej çmimeve më të rëndësishme në industrinë globale të filmit.
“Heldin” është një dramë intensive e vitit 2025 me regji të Petra Volpe, e cila ndjek historinë e Florian, një infermiere kirurgjie që përballet me një sërë sfidash të jashtëzakonshme gjatë një ndërrimi të vonë në spital.
Ridvan Murati, pjesë e kastit ndërkombëtar, sjell një interpretim që përforcon praninë e aktorëve shqiptarë në produksionet evropiane me ndikim global.
Për publikun, ky kombinim i suksesit artistik dhe shpërndarjes strategjike do të thotë që “Heldin” do të mund të shihet nga një audiencë shumë më e gjerë, ndërsa për ekipin realizues është një hap i rëndësishëm drejt njohjes më të lartë që mund të marrë një film ndërkombëtar – një nominim në Oscars.