Edhe pse filmat horror shkaktojnë rritje të rrahjeve të zemrës dhe ndjesi frike, ata mund të kenë efekte pozitive në shëndetin mendor.
Psikologët shpjegojnë se ndjenja e frikës ndihmon njerëzit të mësojnë si të kontrollojnë ankthin dhe të përballen më lehtë me situata stresuese në jetën reale.
Kjo përforcon rezistencën emocionale dhe vetëbesimin. Një studim i ri psikologjik ka treguar se horrori aktivizon në tru procese që ndihmojnë individin të mësojë si të reagojë në situata të vështira.
Coltan Scrivner, psikolog amerikan nga Universiteti i Arizonës, thotë se përjetimi i frikës në mënyrë të kontrolluar, përmes filmave ose librave horror, funksionon si një ushtrim emocional që forcon rezistencën psikologjike.
Gjatë studimit, shikuesit e filmave horror u ndanë në tre grupe:
Adrenaline Junkers – ata që kërkojnë ndjesinë e fortë të frikës;
White Knucklers – ata që duan të provojnë ndjenjën e tejkalimit të frikës;
Dark Copers – ata që përdorin filmat horror për të përballuar ankthin ose depresionin.
Sipas Scrivner, shikimi i skenave të frikshme është një mënyrë për të testuar kufijtë e frikës dhe për të ndjerë siguri në jetën reale.
Këto përvoja i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë reagimet e tyre emocionale dhe të zhvillojnë aftësi për vetëkontroll.
Një pjesë tjetër e studimit, e realizuar në Danimarkë, tregoi të njëjtat rezultate, duke konfirmuar se ndjenja e frikës në kushte të sigurta ka vlera praktike.
Gjithashtu, gjatë pandemisë së COVID-19, hulumtuesit vërejtën se adhuruesit e filmave horror ishin më të qëndrueshëm emocionalisht, më të qetë ndaj lajmeve të frikshme dhe më të sigurt për aftësinë e tyre për të përballuar vështirësitë.
Efektet pozitive të frikës përdoren edhe në trajtimin e ankthit. Në Holandë, studiuesit përdorin një video-lojë të quajtur MindLight, e cila ndihmon fëmijët me ankth të përballojnë frikën. Scrivner beson se historitë horror përdoren si terapi, duke mësuar trurin të menaxhojë emocionet negative në mënyrë të sigurt.
“Tmerri na lejon të luajmë me ndjenjën e frikës pa qenë në rrezik real,” shpjegon ai. “Një libër apo film horror i përzgjedhur me kujdes mund të shërbejë si mjet i vlefshëm për qetësinë në momentet kritike dhe forcimin e durimit emocional.” /A.Z/UBT News/
