Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se ka filluar të marrë energji termike për të nisur sezonin ngrohës 2025/2026, duke shënuar kështu herën e parë që ngrohja fillon tetë ditë para afatit, më 15 tetor.
Përmes një njoftimi për media, Termokos tha se kjo vjen pasi ndërmarrja ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme.
“Kjo është hera e parë në historinë e ekzistimit të ndërmarrjes, që sezoni ngrohës nisë 8 ditë para afatit të zakonshëm për fillimin e furnizimit, si reagim i menjëhershëm ndaj përkeqësimit të motit dhe në harmoni të plotë me ligjet në fuqi, përkatësisht me rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji”, tha Termokosi të martën, më 7 tetor.
Ndërmarrja Termokos tha se procesi i fillimit të operimit do të zhvillohet me kujdes të shtuar.
“Duke qenë se sistemi i ngrohjes është shumë kompleks dhe delikat, procesi i fillimit të operimit do të zhvillohet me kujdes të shtuar, duke e ngritur gradualisht kapacitetin e pranimit dhe shpërndarjes së energjisë termike”, tha ndërmarrja ndërsa kërkoi mirëkuptimin e konsumatorëve “ngase nevojiten disa orë derisa ngrohja të arrijë në radiatorët e tyre”.
Në Kosovë po mban mot kryesisht i ftohtë që prej javës së kaluar, me temperatura nga 0 deri në 6 gradë Celcius./D.B/KP