UBT News

Fillon periudha për votimin me postë nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

KQZ njofton se kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik- 29 gusht 2025).

“Këta votues i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, si: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49)”, thuhet në njoftim.

KQZ thotë se ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë.

Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër./S.K/KP/

Exit mobile version