Kanë filluar të largohen bllokadat nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku ishin të vendosura që nga mbrëmja e së dielës, nga serbët lokalë të komunave veriore serbe.
Ky veprim vjen pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të shtyhen masat për reciprocitet me Serbinë për cështjen e targave dhe letërnjoftimeve.
Kërkesën për shtyrjen e vendimit e ka bërë ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Pas konferencës së ambasadorit amerikan, Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se i ka pezulluar vendimet për reciprocitet për një muaj (1 shtator 2022), me kusht që do të hiqen barrikadat e vendosura në pikat kufitare.
Gjatë ditës së diele, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë sulmuar me armë zjarri nga një grup i serbëve lokalë, por sipas tyre nuk ka pasur të lënduar.
Ndërkaq, është raportuar për disa qytetarë të cilët kanë pësuar lëndime nga dhuna e ushtruar nga serbët që i kishin bllokuar pikat kufitare.