Fushata për zgjedhjet presidenciale në Poloni ka filluar, duke shënuar një moment të rëndësishëm në politikën e vendit. Fitorja është kritike për Koalicionin Qytetar në pushtet, pasi kjo do të mundësonte kalimin e propozimeve legjislative pa u bllokuar nga një president, Andrzej Duda, i cili është në linjë me partinë opozitare “Ligj dhe Drejtësi” (PiS).
Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga Opinii24 për RMF FM, kandidat i Koalicionit Qytetar, Rafał Trzaskowski, kryetari aktual i Varshavës, ka shanset më të mëdha për të fituar zgjedhjet presidenciale. Ai ndiqet ngushtë nga Karol Nawrocki, i mbështetur nga PiS, dhe aktualisht president i Institutit të Kujtesës Kombëtare.
Në vendin e tretë renditet Sławomir Mentzen nga partia e ekstremit të djathtë, Konfederata, e cila e përshkruan veten si kombëtare dhe patriotike. Megjithatë, konkurrenca më e ashpër pritet të zhvillohet mes dy favoritëve kryesorë, Trzaskowsk e Nawrocki.
Trzaskowski, i cili në vitin 2020 humbi ngushtë nga Andrzej Duda, ku secili fitoi më shumë se 10 milionë vota, është një nga kandidatët më të njohur në politikën polake. Vetëm Lech Wałęsa ka marrë më shumë vota në historinë e zgjedhjeve presidenciale në Poloni.
Njëmbëdhjetë kandidatë do të garojnë në raundin e parë të zgjedhjeve. Ata përfshijnë Rafał Trzaskowski (Koalicioni Qytetar), Karol Nawrocki (mbështetur nga PiS), Szymon Hołownia (Trzecia Droga), Magdalena Biejat (E majta e re), Sławomir Mentzen (Konfederacja), Marek Jakubiak (Wolni Republikanie), Marek Woch (Bezpartyjni Samorządowcy), Romuald Starosielec (Ruch Naprawy Polski), Piotr Szumlewicz (Związkowa Alternatywa), Adrian Zandberg (Razem) dhe Katarzyna Cichos (Platforma Rozwoju Polski).
Nëse asnjë kandidat nuk fiton shumicën e votave në raundin e parë, raundi i dytë do të mbahet më 1 qershor 2025. Presidenti i Polonisë zgjidhet përmes një votimi të përgjithshëm, të drejtpërdrejtë dhe të barabartë, me votim të fshehtë, për një mandat pesëvjeçar dhe mund të mbajë detyrën maksimumi dy herë./UBTNews/